Portrete të firmave

Vetëm vozitja është më e mirë se „MeinMech“

Projekti „MeinMech.ch“ është ideuar e konceptuar për një kohë të gjatë në shkollën e Lartë Ekonomike HWZ në Cyrih nga ish-studenti i saj, Naim Osmani

Mekaniku“ im është një nga idetë më brilante për servisimin e veturave, që po shtrihet me hapa të shpejtë në mbarë Zvicrën. Mbrapa idesë „MeinMech“ qëndron një shqiptar ambicioz që sjell përmes këtij projekti risi në tregun e servisimit të veturave në Zvicër. Duke u futur kështu në mes garazhistit që kërkon të ketë sa më shumë qarkullim dhe pronarit të veturës që kërkon ta ngasë veturën me sa më pak shpenzime e pa humbur shumë kohë në Zvicrën dinamike, ku koha është gjëja me e shtrenjtë e njeriut.

Projekti „MeinMech.ch“ është ideuar e konceptuar për një kohë të gjatë në shkollën e Lartë Ekonomike HWZ në Cyrih nga ish-studenti i këtij fakulteti, Naim Osmani. Synimi i tij ishte ruajtja e klientëve nga shpenzimet e panevojshme të servisimit të veturës dhe kursimi i kohës duke ua ofruar mundësinë e marrjes dhe sjelljes së veturës në shtëpi.

„Pasi kisha shkruar dhe dorëzuar idenë time tek profesorët e fakultetit, ata më ftuan për ta prezantuar para eksperteve të Swiss Startup Factory. SSF është një kompani e madhe ne Zvicër që analizon idetë dhe nxjerr në treg produktin”, tregon ekonomisti 33 vjeçar.

Pas një faze shtatëmujashe të testimit të projektit, Naimi regjistron në maj të 2019-ës idenë e tij duke e kthyer atë në një model biznesi që merr rolin e ndërmjetësuesit mes garazhit, që është specialist, dhe klientit që s’ka pothuajse fare njohuri mbi veturën apo gjendjen teknike të veturës.

 

Servisimi që nuk ka ndryshuar prej 50 vitesh

„Ju nuk e paramendoni dot, por garazhet e servisimit punojnë ende sikur para 50 viteve. Ka shumë garazhistë që shpesh ndërrojnë pjesë, edhe pa pasur nevojë. Kur pronari dorëzon veturën në garazh, mekaniku e kontrollon dhe ia thotë çmimin e riparimit ose servisimit pa e ditur mjaftueshëm se a duhet ndërruar ato pjesë apo jo“, shpreh revoltën e tij Naimi që për një kohë të gjatë mendonte vetëm si të gjejë modelin më të mirë për të parandaluar keqpërdorime të këtilla që varfërojnë financiarisht klientin.

„Një pjesë e mirë e garazhistëve nuk janë korrektë. Ka raste kur frenat mund t`i përdorësh p.sh. edhe nja 15 mijë kilometra, por ata t`i ndërrojnë seüpse duan t`i marrin paret. Këto pika jo korrekte nuk më pëlqenin mua, prandaj kërkoja një model të ri për të ndryshuar këtë mënyrë të servisimit e riparimit të veturave“, flet me vendosmëri babai i dy fëmijëve që deri ne moshën 6 vjeçare ishte rritur larg prindërve, vetëm më vëllanë e madh dhe gjyshërit e tij, në Gostivar.

 

MeinMech servison në mbarë Zvicrën rreth 300 vetura në muaj

 Naimi ka aktualisht 300 klientë në muaj që i servisojnë veturat e tyre përmes kompanisë së tij, MeinMech. Firma e tij është rritur me 10 punëtorë. Ndërkohë ata kanë nisur punën me filialin e tyre edhe në Austri, duke ofruar shërbime servisimi në Vjenë.

„Në Zvicër pika jonë frekuentuese është në Cyrih. Kemi 35 garazhe partnere me shtrirje në St. Gallen, Bernë, Argau e vende tjera me rreth 90% të klientëve zviceranë, tregon ai. Klientët që synojnë MeinMech janë ata që ngasin vetura të segmentit 4, që nënkupton ato pa garancion servisimi. Janë kryesisht vetura prej 8 deri në 15 vjet që i ngasin zakonisht klientë të moshës 40 deri 50 vjeç, të cilët në shumicën e rasteve nuk duan ta ndërrojnë veturën. Numri i veturave të segmentit 4 që qarkullojnë rrugëve të Zvicrës, shkon në 1.5 milion.

Pas 15 vjetësh punë nëpër garazhe, diplomon për Biznes dhe Ekonomi

„Para se te filloja me biznes, vëllanë e kam parë si idhull”, rrëfgen Naimi. Doja të bëhesha si Rifati, mirëpo interesimi im ishte te motoristika, kështu që pasi kisha mbaruar zanatin, punova dy vjet si mekanik, por doja gjithnjë të bëja diçka më shumë. Me interesonte elektronika e automjeteve, diagonoza, dhe jo vetëm të ndërroja pjesë. Kështu, unë vazhdova specializimin për “automobil diagonostiker”, pastaj për mësues të nxënësve të drejtimeve mekanike dhe mbarova një vit shkollor për të qenë ekspert i provimeve përfundimtare (LAP) për nxënësit.

Naimi kishte bërë 15 vjet punë nëpër garazhe, kishte ndërruar tri vende pune dhe në fund nuk kishte arritur të bëhej më shumë se një shef i një garazhi të Mercedesit me një pagë normale. “Një ditë u ndala dhe i thashë vetes: a dua unë vërtet ta kaloj tërë jetën duke punuar në garazh? Natyrisht që jo- u përgjigja dhe fillova të interesohem për shkollim të metutjeshëm. Por shkollën që doja të bëja, më thanë që është shumë e vështirë, plus e vëreja që nuk e kisha mbështetjen e plotë të familjes. Ata donin të më kursenin dhe të gjithë frikësoheshin se mos ndoshta nuk arrij të shkoj deri në fund me studimet“. Pas shumë diskutimeve në familje dhe me shoqëri, unë regjistrova në vitin 2015 në HWZ-Cyrih studimet për Bachelor “Betriebsökonomie”. Tre semestrat e parë mësoja nga tetë orë në ditë. Isha i motivuar dhe doja t’ju dëshmoja të gjithëve që kishin pasur dyshime, se mund t’ia dal. Katër vite të studimeve, me tetë semestra, ishin shumë të rënda për mua, por njëkohësisht edhe koha më e mirë e jetës sime sepse u lidha me shumë shokë e njerëz të profileve të ndryshme dhe mbi gjitha mora diplomën Bachelor për Biznes dhe Ekonomi.

Të gjitha shërbimet për klientin, jo më larg se 15 km nga vendbanimi i tij

Garazhi duhet të garantojë punë cilësore. Klienti në anën tjetër do të dijë me saktësi çfarë duhet bërë në veturën e tij dhe sa do t`i kushtojë. Klientët mund të japin në faqen tonë modelin e veturës dhe çfarë duhet bërë. Ne i bëjmë ofertën klientit në një garazh jo më larg se 15 km nga vendbanimi i tij. Garazhisti shkon mandej e merr veturën te klienti, e rregullon dhe ia kthen prapë në shtëpi. Kurse ne jemi partneri apo garantuesi i servisimit dhe tërë komunikimi bëhet me ne. Madje edhe fatura kalon përmes nesh. Garazhet e vogla familjare me nga katër pesë punëtorë, nuk kanë asnjë shans t`i konkurrojnë garazhet e mëdha si Amag, Merbach, Emil Frey me marketing, punëtorë e cilësi. Këtu ne kërkojmë një mes për të gjithë, marketingun për garazhet e vogla e marrim ne përsipër.

Foto:Armend Berisha

/Publireportazh/